Higuain? Milani nuk humbet sa herë nuk është në fushë!

Pëlhura e Penelopës ndoshta një ditë u arrit të thurej deri në fund, besohet atëherë kur Odiseu i mposhti armiqtë e tij dhe pretendentët për dorën e së shoqes. Nuk dihet nëse Xhenaro Gatuzo është Odiseu i këtij Milani, ende tepër larg Epokës së Berluskonit, por gjithsesi, “pëlhura” e kuqezinjve pati një mbrëmje “thurjeje”, jo “shthurjeje” në stadiumin e Gjenovës.

Fitorja 2-0 ndaj Xhenoas, jashtë fushe, tregoi se “Djalli” di të jetë i fortë kur është i qetë nga trutë, dhe kur lojtarët kryesorë japin rendimentin e duhur. Kjo, sidomos, kur Gonzalo Higuain nuk është në fushë. Sulmuesi argjentinas, tani larg Milanit, sikur po pengonte kohët e fundit, dhe statistikat tregojnë se kuqezinjtë nuk humbasin kur ai është në fushë: 6 ndeshje pa të, 3 fitore, 3 barazime, dhe 11 gola të shënuar!

Në “Marasi”, golat u shënuan nga Borini e Suso, ndërsa blerja e re, Paketa, luajti mjaft mirë dhe goditi traun. Në krahun tjetër të fushës, Donaruma ishte ai talenti që njohin të gjithë duke bërë pritje të rëndësishme, edhe pse u ndihmua gjithashtu nga shtylla. Milani fitues në Gjenovë doli në vend të katërt në Serinë A, dhe e ardhmja duket më e bukur në pritje të “bomberit” Piontek.

Sfidanti.al