Gjoba dhe dështime sportive, a do të ketë fat ky Milan?!

Kinezë apo amerikanë qofshin aksionerët, duket se për Milanin kohët e lavdishme janë tepër larg. “Për mua nuk vjen pranvera”, thotë një këngë e trishtueshme kozake, dhe kjo këngë i shkon më së miri skuadrës së madhe italiane, që tregoi ngërçin e saj edhe me barazimin e fundit në Serinë A. Ishte ndeshja në fushën e Bolonjës, një nga ato që mund të fitoheshin, por që nuk u fitua dhe zona Champions mbeti sërish në rrezik. Rivalët janë vetëm 2-3 pikë larg dhe flitet për Lacion, Atalantën, Romën, Sampdorian apo Fiorentinën.

Kjo, pas eleminimit dramatik në Pire në Ligën e Europës, që e la Milanin pa një trofe të mundshëm, dhe e goditi financiarisht. Klubi milanez duhet të bëjë llogarinë edhe me gjobën prej 12 milionë eurosh për shkelje të rregullave të Lojës së Ndershme Financiare, një nga gjobat më të mëdha të vëna nga UEFA. Mbi kryet e Milanit është edhe dënimi i mundshëm me 1 sezon përjashtim nëse do të ketë sërish shkelje.

Sfidanti.al