“Furia” Konte në sprovën e tregut, do t’i marrë të gjithë ata që do?!

Të sigurt në skuadër janë Lukaku e Politano, padyshim Mauro Ikardi është në ikje, ndërsa mister mbetet e ardhmja e Lautaro Martinezit. Edhe argjentinasi i shkëlqyer, dhe i vlerësuar shumë, mund të marrë “vizën” për kalimin e kufirit, por për ku? Për në Francë, pasi Paris SG e pëlqen, ashtu siç thuhet se pëlqen Paulo Dibalën. Edhe Konte thuhet se e dëshiron juventinin, që për momentin kërkon vetëm një gjë: Të mos largohet nga Torino.

Tek Interi pritet Aleksis Sançez, veçse trajneri zikaltër ka në plan 4 sulmues të nivelit të lartë për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë. Pra, Lukaku, Politiano, Aleksis Sançez, dhe një i katërt, apo i pestë. Lautaro Martinez ose Paulo Dibala. Gjithashtu, mund të jetë Arkadiush Milik, nëse arrihet marrëveshja me Napolin për transferimin e Ikardit. Interi kërkon 75 milionë euro për kartonin e ish-kapitenit, ndërsa presidenti napolitan, De Laurentis, ofron edhe Milikun si pjesë e akordit. Këtu ka një tjetër përplasje dëshirash, pasi Ikardi, siç dihet, kërkon vetëm Juventusin.

Sfidanti.al