“Fitojmë prej Piontekut, por dhe të tjerëve”, thotë Gatuzo

“Nëse kemi shënuar 9 gola në 3 ndeshjet e fundit, është meritë e Piontekut, por edhe e shokëve që i krijojnë mundësinë që të shënojë!” Dëshiron të jetë i ndershëm deri në fund Xhenaro Gatuzo, dhe trajneri i Milanit nuk bën dallim mes “djemve” të tij pas fitores 3-0 ndaj Empolit në “San Siro”.

Suksesi i dha edhe më shumë moral skuadrës së madhe milaneze, dhe e ngjiti të paktën përkohësisht në vetëm 1 pikë diferencë me Interin. Gatuzo, gjithsesi, e ndau menjëherë ndeshjen në dy “copa”. “Pjesa e parë më shqetësoi, – tha ai, – nuk e nisëm aspak siç duhet, por rritja vjen edhe nëpërmjet paraqitjeve të tilla. Pas pushimit vrapuam më shumë pa top”.

Gatuzo pranon se ka lojtarë që janë të palumtur për minutazhin e paktë, por e quan diçka normale. “Nëse një lojtar mbetet në stol dhe ndihet i lumtur, atëherë është problem, – u shpreh trajneri, – unë përpiqem t’i respektoj të gjithë, nuk kam preferenca kur aktivizoj lojtarët, e rëndësishme është të shihemi drejt e në sy kur takohemi dhe flasim”. Piontek në 49’, Kesi në 51’ dhe Kastijeho në 67’ ishin autorët e golave, me Milanin që ka 45 pikë pas 25 javëve, në vend të katërt në Serinë A.

Sfidanti.al