Fiorentinë, je për Champions nëse FR7 është gjithnjë në fushë

Shtata emblematike është ajo e Kristiano Ronaldos, por kush mund të thotë se një legjendë e gjallë si Frank Riberi e meriton lavdinë më pak? Ylli veteran francez, që u duk në prag të pensionit në mbyllje të karrierës me Bajernin, ka nisur një jetë të re në Firence, dhe jo për turizëm apo pazar. Në moshën 36-vjeçare është kthyer në një nga protagonistët më të rëndësishëm të Fiorentinës dhe të krejt Serisë A, duke ndihmuar ekipin që të ngjitet lart. E vërtetë, vjollcët janë poshtë në renditje, por kur Riberi është në fushë, ata janë fitues. Tashmë, në Itali kanë nisur ta quajnë FR7!

“La Gazeta delo Sport” llogarit që, nëse francezi do të ishte gjithnjë i aktivizuar, skuadra e Vinçenco Montelës do të kishte 11 pikë, jo 5 aq sa ka tani. Riberi, për më tepër, është dribluesi i dytë më i mirë i Serisë A deri tani, diçka për të cilën nuk habitet kush. “E dija që do të na ndihmonte shumë, – thotë trajneri, në prag të ndeshjes së sotme në fushën e Milanit, – ai është një kampion dhe karakteri e ambicia e një kampioni nuk të tradhëtojnë kurrë”. Riberi nuk është ende në 100 për qind fizikisht, por pritet të përmirësohet, ndërsa nëse ai luan, Fiorentina mund të synojë edhe zonën Champions.

Sfidanti.al