Dy vjet pezullim? Juventusi as nuk e gjobit Ronaldon!

Një lajm nga Italia thoshte se CR7-ta rrezikon shumë pasi u largua para kohe nga stadiumi, në ndeshjen Juventus-Milan në Serinë A. Dakord, këtë e thotë Antonio Kasano, që përmend rregullat antidoping, por vetë klubi juventin ka ndërmend të sillet ndryshe. Për momentin, nuk do të ketë gjobë për superyllin portugez, por do të ketë vetëm një bisedë me drejtuesin e lartë, Paratiçi. Besohet se Ronaldos do t’i kërkohet që të pajtohet me shokët e skuadrës, të cilët nuk e pritën mirë sjelljen e tij, ashtu siç mbeti i zhgënjyer edhe klubi.

Ishte vetë trajneri Mauricio Sarri, që sqaroi diçka me deklaratën e tij pas ndeshjes. “Kristiano është një kampion, dëshiron gjithnjë që të luajë, ndërsa këtë që ndodhi thjesht duhet ta sqarojë me shokët e skuadrës”, – ishin fjalët e tij. Paratiçi ka biseduar me agjentin e Ronaldos, Zhorge Mendezin, dhe do ta takojë vetë portugezin për t’i thënë që sjellje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen.

Sfidanti.al