Dueli Juve-Inter, Konte dhe Sarri kanë halle të ndryshme!

Ishte e qartë që në fillim, edhe pse forca e karakterit të trajnerit zikaltër e kishte bërë të mos dukej. Antonio Konte dhe Mauricio Sarri kanë halle të ndryshme, dhe kjo sepse tepër të ndryshëm janë Juventusi dhe Interi. Kampionët, një skuadër e ndërtuar prej vitesh, e mbushur plot me yje, ku e vetmja gjë që ka ndryshuar është trajneri, ndaj duhet një përshtatje.

Milanezët, në të kundërt, kanë qenë shumë vjet në kërkim të identitetit, dhe më në fund duket se e kanë gjetur me Konten, që ka filluar të ndërtojë një skuadër të vërtetë. Çfarë pasojash ka kjo për dy ekipet? Tek Juvja thjesht duhet kohë që tekniku dhe lojtarët të kuptojnë njëri-tjetrin, ndërsa tek Interi duhet kohë, por dhe para për të shtuar organikën.

“Jam i shqetësuar, – u detyrua të pranonte Konte, pas barazimit 2-2 me Parmën, – luajnë gjithnjë të njëjtit lojtarë dhe lodhja ndihet. Duhet të bisedoj me klubin për të bërë diçka”. “Diçkaja” më e afërt është në janar, me kusht që të gjenden përforcimet e duhura. Po Sarri çfarë tha pas barazimit 1-1 në Leçe? “Më vjen keq që barazuam një ndeshje të tillë, – u shpreh napolitani juventin, – padyshim ishim ne që dominuam, që bëmë lojën. Krijuam 10 raste për gol edhe pa pasur Ronaldon. Duhet të jemi më të saktë para portës”.

Sfidanti.al