De Ligt kalon provat mjekësore, Juventusi ëndërron Championsin me yllin holandez!

Ardhjen e kishte lënë për në mbrëmje.v Matijs De Ligt i dha fund enigmës për të ardhmen, dhe bëri atë që pritej, fluturoi për në Torino, tek Juventusi. Ishte vonë dhe nuk pati shumë ceremoni, por thjesht disa gjeste fituese përpara kamerës së klubit, dhe pritja e respektueshme e njerëzve juventinë, që e dërguan menjëherë në hotel.

Paradite ishte radha e vizitës mjekësore, e kontrollit rutinë që nuk është se përbënte ndonjë problem, por që më shumë u dha rast tifozëve që ta shikonin nga afër yllin e tyre të ri. Mbrojtësi holandez nuk ua prishi qejfin, duke i takuar, duke bërë foto me ta, e duke firmosur autografet, diçka tjetër rutinë e një profesionisti. Gjithsesi, me ftohtësinë e një holandezi, 19-vjeçari, u largua shpejt dhe shkoi për të bërë vizitën mjekësore në qendrën e klubit.

Juventusi pret që ta ketë shpejt në stërvitje ish-kapitenin e Ajaksit, një përforcim i madh edhe pse vetëm 19-vjeçar. Sezonet e shkëlqyera me Ajaksin dhe me Holandën e bënë një nga lojtarët me të kërkuar të Europës, dhe klubi italian fitoi konkurrencën me Barcelonën, Mançester Junajtidin apo Paris SG.

De Ligt do të fitojë deri në 12 milionë euro rrogë në vit, në një kontratë 5-vjeçare, ndërsa Juventusi do të shpenzojë gjithsej 75 milionë euro për kartonin e tij. Klauzola e transferimit do të jetë 150 milionë euro, ndërsa agjenti i tij, Mino Raiola deklaron se qendërmbrojtësi ka etikën e punës së Nedvedit dhe ambicien e Ibrahimoviçit.

Sfidanti.al