“Çmenduri” në stërvitje, kapiteni i Udinezes dëmton tre futbollistë

Kapiteni i Udinezes, Danilo, mori një qortim të ashpër nga kryesia e këtij klubi dhe stafi i trajnërëve, pas njerës prej seancave stërvitore të fundit, për shkak se ai, gjatë saj dëmtoi tre futbollistë të tjerë të skuadrës. Gjatë kësaj “çmendurie” të tij, deri tani të pashpjeguar, e pësuan Ali Adnani, Adalberto Penjarda dhe Françesko Lodi, kështu që këta tre futbollistë të dëmtuar, për një kohë të caktuar do të jenë të detyruar që të qëndrojnë jashtë fushës, pasi kanë nevojë që të kurohen.

Para se të ndërmerrte inkursionin e tij shkatërrimtar, Danilo u grind ashpër me disa lojtarë dhe pasi kapitenit i “lëvizi amperi”, trajneri Xhixhi del Neri nuk pati alternativë tjetër, veçse ta dërgonte atë para kohe në dhomën e zhveshjes. Sipas informacioneve më të fundit, futbollisti brazilian do të dënohet rëndë, ndërkohë që ai do të jetë i detyruar edhe që t’u kërkojë falje publike lojtarëve që ka dëmtuar fizikisht.