Çiltërsi e llojit  Gatuzo : Montela ka meritë për sukseset e Milanit

Milani doli në finale të Kupës së Italisë, mbasi mundi Lacion në Romë me penallti në gjysmëfinale. Dhe, ndërkohë që trajneri Xhenaro Gatuzo përmendet si faktori kryesor për ripërtëritjen e Milanit, vetë ai nuk harroi që një pjesë të meritave t’ia kalonte paraardhësit të tij, Vinçenco Montela.

“Nuk duhet harruar se merita për këtë sukses ka edhe Montela. Unë kam aplikuar diçka timen, por, më shumë unë i përmbahem kursit tanimë të përcaktuar. Duhet të pranohet puna e mirë e Montelës që më ka ndihmuar shumë mua”, tha Gatuzo mbas ndeshjes.

Para ardhjes së Gatuzos, Milani ndodhej në një pozitë të vështirë, madje, në vendin e 10-të në Serinë A, pa fituar pikë në ndeshjet derbi. Por, brenda më pak se dy muajsh, Gatuzo i ka sjellë rezultate të mira klubit milanez dhe, tani, ai ndodhet vetëm tetë pikë larg vendit të 4-t që të çon në Champions dhe arriti ta nxjerrë Milanin në finale të Kupës së Italisë. Milani, në fakt, nuk ka asnjë humbje, më 2018.