Boban “jashtë”, Maldini e ndjek, por tek Milani ka pasiguri për Ibrën!

Nëse kanë zgjedhur si trajner atë për të cilin flitet, pra gjermanin Ralf Rangnik, atëherë pozicioni i Zllatan Ibrahimoviçit është në dyshim. Rangnik, teknik jo i skuadrave të mëdha, por i parimeve të forta, besohet se nuk i pëlqen ata lojtar që cilësohen si “pak si shumë me liri” si dhe ata me moshë të madhe. Ibra është edhe “pak si shumë i lirë”, si dhe me moshë të madhe, 38-vjeçare.

Natyrisht, Rangniku nuk është vendosur ende si trajner, por është vendosur që të largohet Zvonimir Boban. Legjenda kroate ishte drejtues, por shefi ekzekutiv Ivan Gazidhis mendon se e ardhmja duhet të jetë pa të. Bashkë me kroatin pritet të largohet edhe legjenda italiane, Paolo Maldini, të cilin paraardhësi i tij, Mirabeli, e cilësoi si “doktor pa gradat e doktorit”. Mirabeli gjykonte se Maldini nuk e ka përgatitjen për rolin e drejtorit sportiv. Fjalën më të “thekur” e tha ish-presidenti dhe ish-pronari i Milanit, Silvio Berluskoni, kur u pyet për Bobanin dhe Maldinin. “Lojtarë të mëdhenj, por drejtues të vegjël”, – ishin fjalët e tij.

Sfidanti.al