A mund të kënaqet Konte kur Interi fiton 4-3 në Sasuolo?!

Duhet të tregohet pak sportiv ky trajner, edhe pse askujt nuk i pëlqen t’i mbyllë ndeshjet me zemër në dorë. Më shumë e theksuar kjo është në Itali, ku rezultati shpesh cilësohet si në plan të parë, dhe Interi thuajse e bëri gabimin “e pafalshëm”, duke rrezikuar fitoren në fushën e Sasuolos edhe pse kryesonte 4-1. Nga dy gola të Romelu Lukakut dhe Lautaro Martinezit nuk mjaftuan për të “vënë ndeshjen në gjumë”, pasi zikaltërit “fjetën për vete”, ndërsa Sasuolo “u zgjua”.

Martinez shënoi shpejt, që në minutën e 2-të, pastaj Berardi barazoi, ndërsa Lukaku rivendosi avantazhin në 38’, dhe si thelloi epërsinë në 45’. Pas pushimit, Martinez realizoi penalltinë në 71’ dhe u duk se gjithçka mori fund, por Gjurishiç dhe Boga rihapën duelin kur duheshin edhe 9 minuta, pa llogaritur shtesat. Kjo e bëri fundin të tensionuar, edhe pse tepër emocionues për tifozët vendas, dhe për dashamirësit neutralë të futbollit. Të vetmit që vuajtën ishin publiku interist dhe trajneri Konte.

Nuk ishte e mundur të mësohej mendimi i teknikut puljez, i cili nuk doli në intervistë pas sfidës së Serisë A, i zëvendësuar nga ndihmësi Stelini.

“Konte është i sëmurë me grip dhe e pati të pamundur të bënte intervistën, – sqaroi ai, – trajneri ishte i sëmurë që përpara ndeshjes, por nuk u dorëzua dhe rezistoi deri në fund. Për fitoren jemi të kënaqur, sepse dominuam për 70 minuta. Nuk është e lehtë të kthehesh pas dy javë pushimi, dhe pas një humbjeje, siç ishte ajo me Juventusin. Mendoj se duhet ende të punojmë shumë, që të mos na ndodhë përsëri kështu. Duhet të jemi më të kthjellët, jo siç na quajnë “Interi i çmendur”.

Me fitoren 4-3, skuadra milaneze u afrua sërish në 1 pikë diferencë me Juventusin, duke mbajtur vendin e dytë në Serinë A, me 21 pikë pas 8 ndeshjeve të luajtura.

Sfidanti.al