Sari krenar për lojtarët e vet? Edhe pas asaj që bëri Kepa…

Çelsi u mund me penallti në finalen e Kupës Karabao (Kupa e Ligës) nga Mançester Siti dhe temë qëndrore diskutimesh ishte “keqkuptimi” mes portierit të “bluve” të Londrës, Kepa Arizabalaga, që nuk donte të dilte nga fusha, dhe trajnerit të tij, Mauricio Sari. Sidoqoftë, duhet të vihet në dukje se Çelsi luajti shumë më mirë sesa në ndeshjen e fundit që “qytetarët” e Sitit e fituan me rezultatin shkatërrimtar 6-0. Ky Çels, edhe nëse nuk ishte më i mirë sesa Siti, ai nuk ishte as më i keq.
Nëse Kepa nuk do të kishte bërë atë që bëri dhe nëse ai do ta kishte pritur atë penallti që duhej ta priste, atëherë për Çelsin do të flitej krejt ndryshe.
“Nëse ju e keni parë ndeshjen me kujdes, atëhërë, me siguri që keni konstatur se lojtarët tanë luajtën tamam ashtu sikurse duam ne që të luajnë ata”, tha Sari mbas ndeshjes, duke shtuar:
“Unë jam shumë i kënaqur me lojën e lojtarëve tanë, madje jam krenar. Ne zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer kundër Sitit që ndoshta tani për tani është ekipi më i mirë në botë”.
Në fakt, këto fjalë të Sarit nuk i priste akush nga një trajner që kohët e fundit është kritikuar aq shumë. “Krenar për lojtarët”? Mbas asaj që bëri portieri Kepa?
Sfidanti.al