Propozimi super-ndëshkues i Sterlingut: Minus 9 pikë për racizëm!

Ylli i Mançester Sitit, Rahim Sterling, ka bërë një propozim sesi të luftohet racizmi në futboll. Në muajin mars, pjesëtarët me ngyrë të përfaqësueses angleze u ofenduan mbi baza raciste në ndeshjen kualifikuese kundër Malit të Zi nga tifozët e këtij të fundit.
“Futbolistët nuk duhet të jenë viktima të racizmit. Dënimet duhet të jenë më të ashpra, ndërkohë që ka klube dhe federata që nuk e kanë për gjë të paguajnë gjoba financiare që, në fakt, nuk janë aspak të mëdha. Unë propozoj që të vendoset një rregull, sipas të cilit, në rast të racizmit të shprehur nga tifozët, ekipeve përkatës t’u hiqen nëntë pikë”, vuri në dukje Sterlingi në një pronocim publik, duke shtuar:
“Duket si dënim i ashpër, por cili tifoz do të guxojë të ndërmarrë një rrezik të tillë, sepse ekipi i tij do të humbasë vendin e vet në tabelën e klasifikimit. Po ashtu, mendoj se klubet përkatës duhet të dënohen edhe që tre ndeshje t’i zhvillojnë pa publik, kështu që ata do të humbasin më shumë para, për shkak të racizmit”.
Sfidanti.al