Yjet e Sitit, përgatitja më e mirë për Realin, një betejë me Leisterin!

Ishte një ndeshje me polemika, por edhe një sfidë që i mbushi fituesit me krenari. E vërtetë që VAR-i e dëmtoi shumë Leisterin vendas, duke mos i dhënë dy penallti, por po aq e vërtetë që futbollistët e Mançester Sitit po e përballojnë me shumë dinjitet momentin e vështirë të klubit. Përjashtimi nga Championsi, pas vendimit të UEFA-s (që pret apelimin), dhe arratisja e Liverpulit në krye të Premier Ligës sërish nuk ia thyen vullnetin djemve të Pep Guardiolës, që fituan në fushën e dytë më të vështirë të kampionatit këtë sezon, falë një goli të Gabriel Zhezusit.

“Nuk mund të dyshojë askush te karakteri i futbollistëve të mi, – u shpreh Guardiola më pas, – ata përballojnë gjithçka. Ata kanë fituar 7 nga 8 garat ku kanë marrë pjesë së fundmi, dhe kjo tregon vetëm karakter”. E vetmja garë që Siti nuk ka fituar nga 8 të fundit ishte Championsi, pasi u eleminua në çerekfinale nga Totenhemi. Guardiola zgjodhi një formacion të plotë për ndeshjen në fushën e Leisterit, duke besuar se përgatitja më e mirë për duelin e mesjavës në Champions ndaj Realit ishte një fitore, sesa lënia pushim e yjeve kryesorë. Aguero humbi një penallti dhe u zëvendësua në 77’, me Gabriel Zhezusin që shënoi 3 minuta pasi hyri në fushë, falë edhe vrapimit të ish-lojtarit vendas, Rijad Mahrez. Siti ka 57 pikë në vend të dytë në Angli, ndaj 50 të Leisterit të vendit të tretë, ndërsa Liverpuli ka 76 me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al