Yjet e Çelsit ishin në lot në 2007, kur u largua Zhoze Murinjo!

Ky është rrëfimi i njërit prej lojtarëve të asaj skuadre, Stiv Siduellit. Futbollisti anglez ishte në atë kohë pjesë e Çelsit, dhe në vitin 2007 ndoqi si dëshmitar skenat pas lajmit për largimin e Zhoze Murinjos, dhe sot i tregon për mediat. “Kam qenë në shumë klube ku janë shkarkuar apo larguar trajnerët, – tha Siduelli, – largimi më dramatik, më i rëndë, ishte ai i Zhoze Murinjos në vitin 2007 nga Çelsi. Shumë prej lojtarëve kishin qenë me të për shumë kohë, dhe ishte krijuar një si kulturë familjare”.

Siduelli kujton që kjo ndodhi pas barazimit në shtëpi me Rozenborgun në Champions, kur doli fjala se Murinjo do të shkarkohej. Kështu ndodhi, dhe trajneri erdhi duke takuar një e nga një lojtarët, duke i përqafuar. “Shumë lojtarë i kishin sytë me lot, – u shpreh ish-futbollisti, – Didie Drogba ishte i shkatërruar, edhe ai me lot në sy. Të gjithë ishin të prekur dhe të dërrmuar”. Murinjo fitoi titujt në 2005 e 2006 me Çelsin si dhe trofe të tjerë, por u eleminua dy herë në gjysmëfinale të Championsit ndaj Liverpuli. Në 2013 ai u kthye përsëri duke fituar titullin në 2015.

Sfidanti.al