Verneri e Mbapeja? Klopi do një Liverpul plot me djem të shtëpisë!

Lajmi i fundit nga mediat britanike ishte që Mançester Siti apo Juventusi ishin favoritë për sulmuesin e krahut të Uolvesit, Adama Traore. Një tjetër “zhgënjim” nëse mund ta quajmë kështu, për Liverpulin e Jurgen Klopit, pasi fjala ishte që gjermani e donte Traoren në “Anfild”. Diçka që bie erë të ngjashme me dështimin për të marrë Timo Vernerin, që zgjodhi Çelsin, apo me histori të tjera pa përfundim të lumtur, të tilla si Mbape apo Haverc.

Klopi gjithsesi nuk duket shumë i shqetësuar këto ditë, as edhe pas humbjes 0-4 në fushën e Sitit, apo disa muaj më parë pas eleminimit në Champions nga Atletiko e Madridit. Trajneri liverpulas mendon se mund të bëjë diçka të veçantë, të krijojë një ekip me mjaft djem të shtëpisë, pra nga qyteti ku ndodhet skuadra. Për momentin, aty janë katër lojtarë, më i njohuri prej tyre Aleksandër Trent Arnold, por nuk mund të harrohen Kërtis Xhons, Neko Uilliams dhe Ben Udbërn. Dy të parët kanë lindur në Liverpul, ndërsa dy të tjerët kanë qenë në qytet që nga shkolla fillore.

“Do të ishte një gjë e mrekullueshme të kishim një skuadër me djem të shtëpisë, – thotë Klopi, me “skouzërs” (siç i quajnë liverpulasit), sepse ata punojnë fort, dhe kanë pasion të çmendur. Nuk është konkurrencë me Evertonin, por unë do t’i doja në ekip. Ndoshta në Londër është më e lehtë. Kjo gjë ndoshta nuk do të ndodhë për 5 vjet, por ndoshta për 10 vjet”. Në këtë mënyrë, ulen shpenzimet, dhe i përngjahet ekipeve si Mançester Junajtidi i Fergusonit në vitet 90-të, apo Barcelona e Guardiolës me shumë talente të Akademisë “La Masia”.

Sfidanti.al