Van Dajk, Matip, tani edhe Fabinjo, ç’është ky mallkim për Liverpulin?!

Jurgen Klopi i ra drejt kur u pyet pas ndeshjes së Championsit se dëmtimi i radhës ishte “gjëja e fundit që na duhej”. Liverpuli do të duhet të luajë sezonin pa brazilianin Fabinjo, mesfushorin e përshtatur si qendërmbrojtës, përveçse Van Dajku është jashtë gjithë edicionit dhe Zhoel Matip nuk është ende gati për të luajtur. Vetëm Xho Gomez është qendërmbrojtësi natyral që i mbetet trajnerit të kuq, që ndaj Mitjulandit u detyrua të aktivizonte 19-vjeçarin Ris Uilliams.

“Nuk e di, nuk e di, ai ndjeu dhimbje në kofshë dhe kjo nuk është gjë e mirë, – tha Klopi, – ai tha se nuk kishte shumë dhimbje dhe se mund të vazhdonte, por nuk mund të vraponte sprinte, gjë që është e domosdoshme në atë pozicion. Do ta shikojmë me mjekët, por nuk është gjë e mirë”. Në verë, klubi anglez transferoi qendërmbrojtësin kroat Dejan Lovren tek Zeniti i Shën Peterburgut, ndërsa duhet të presë deri në janar për përforcime. Problemi kryesor është në Premier Ligë, pasi faza kyç e Championsit vjen në shkurt-mars.

Sfidanti.al