Junajtid, çfarë frike ke që e mban larg Sër Aleks Fergusonin?!

Në verën e vitit 1974 në “Anfild” ndodhi një ndryshim epokal. Trajneri legjendar, Bill Shenkli, u largua nga drejtimi i skuadrës, dhe në vend të tij u emëruar Bob Pejsli. Shenkli ishte tepër i lidhur me Liverpulin, dhe me punën, ndaj vazhdoi të vinte çdo ditë në kompleksin stërvitor, dhe në çdo ndeshje në stadium, aq sa u bë barrë e rëndë në kurrizin e trajnerit të ri, Pejsli. Drejtuesit e klubit u detyruan t’i thoshin se duhej të largohej nga “Melvudi”, aq sa Shenkli i madh u ndje i ofenduar.

Tek Mançester Junajtidi, nuk qe e nevojshme që klubi të vepronte ndaj Sër Aleks Fergusonit, kur ky i dha fund karrierës në 2013, pasi skocezi i madh vendosi vetë që të mbante distancë me skuadrën. Gjithsesi, mediat britanike sot shkruajnë se drejtuesit në “Old Traford” i bënë planet gabim që nuk e mbajtën afër ish-trajnerin legjendar, për t’u këshilluar me të. Si përfundim kemi 3 trajnerë në 6 vjet, transferime kaotike, rezultate të turpshme, dhe besim e besnikëri të shkatërruar.

“Deili Meil” ia vë fajin zv. shefit ekzekutiv, Ed Uduord, i cili duket sikur ka frikë nga prania e Fergit. Tabloidi bën një krahasim mes Liverpulit në 1974 dhe Junajtidit në 2013, dhe vëren një dallim të madh, pasi në “Anfild” kishte shumë përvojë nga stafi i ri, ndërsa në “Old Traford” u larguan edhe ndihmësit e Fergusonit (si Rob Uelan), ndërsa më herët kishte ikur ish-shefi i klubit, Dejvid Xhill.

Uduord dhe drejtori komercial, Riçard Arnold, janë të shkëlqyer në financë dhe llogari, por thuajse nuk e njohin fare futbollin, agjentët dhe psikologjinë në gjirin e një skuadre. Kjo bëri që, ndërsa Liverpuli dominoi Anglinë dhe Europën me Bob Pejslin, Junajtidi të dështonte çdo vit e më shumë, me trajnerët Mojes, Van Gal, Murinjo dhe tani edhe Solskjer.

Sfidanti.al