Totenhemi në gjysmëfinale të Kupës së Ligës, “sheh” një trofe me Murinjon!

Që nga viti 2008 nuk ka mundur të fitojë asnjë kupë, veçse sot ka në stol një trajner që është ekspert për tituj. Zhoze Murinjo është padyshim një fitues serial me 25 trofetë e tij, dhe mund ta ndihmojë Totenhemin që ta kalojë këtë periudhë “thatësire”. Trofeu i fundit i fituar nga Spërsat ishte Kupa e Ligës në 2008, dhe pikërisht në Kupën e Ligës janë shpresat më të mëdha pasi londinezët arritën në gjysmëfinale pas fitores 3-1 në fushën e Stouk Sitit, një ekip i kategorisë së dytë.

Murinjo u detyrua të luante me formacionin thuajse më të mirë, me Harri Kejnin, Sonin (në pjesën e dytë), Garet Bejlin, Lukas Mourën, Dele Alin, Hojbjergun, Jorisin, Dajerin, Uinksin apo Dejvisin. Golat u shënuan nga Garet Bejl, Ben Dejvis dhe Harri Kejn, ndërsa vendasit barazuan përkohësisht në 53’ me anë të Tompsonit.  “Lojtarët treguan karakter në pjesën e dytë, pasi Stouku ushtroi presion dhe pastaj deshi ta çonte ndeshjen tek penalltitë, – tha Murinjo, – u desh të sulmonim dhe ia dolëm”. Për portugezin pati shqetësime sepse Bejl u dëmtua dhe Dele Ali u nxeh shumë nga zëvendësimi, ndonëse ishte fajtor për golin e pësuar. Gjithsesi, për Murinjon rëndësi ka që ekipi i tij po i afrohet një trofeu.

Sfidanti.al