Totenhemi është vërtet në udhëkryq, a do ta arrijë Championsin?!

Përurimi i stadiumit të ri ishte diçka madhështore, ashtu si kualifikimi për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas suksesit ndaj Mançester Sitit. Gjithsesi, as impianti prej 1 miliardë paund stërlinash, dhe as prania në katërshe të kompeticionit kryesor europian, nuk ia garantojnë suksesin për sezonin e ardhshëm. Këtë ia siguron ose fitorja e Championsit, që duket tepër e vështirë pas humbjes 0-1 në Londër ndaj Ajaksit, ose vendi i katërt në Premier Ligë.

Ky vend i katërt u vu plotësisht në dyshim pas humbjes së rëndë në fushën e Bornmuthit, ku trajneri Poçetino humbi edhe dy lojtarë me kartonë të kuq, koreanojugorin Son në 43’ dhe Huan Fojthin në 48’. Dueli u duk se do të mbyllej në barazim 0-0, pavarësisht se Spërsat ishin me dy lojtarë më pak në fushë, veçse Nathan Ejk goditi në sekondat e fundit. E dyta disfatë radhazi, pas asaj në shtëpi me Uest Hemin, bëri që Totenhemi të mbetet në 70 pikë, 2 pikë mbi Çelsin, 4 pikë mbi Arsenalin dhe 5 mbi Junajtidin, që kanë luajtur një ndeshje më pak. Rreziku është tepër i madh, edhe pse shanset mbeten.

Sfidanti.al