Totenhemi dyfishon pagën e Dele Alit, te Çelsi luks për ata që s’luajnë!

Totenhemi vazhdon strategjinë e tij të ruajtjes së futbollistëve më të mirë, duke ua ngritur herë pas here, pagën, por kjo e fundit vazhdon të mbetet e “ulët”. Kështu ndodhi edhe në rastin e një prej futbollistëvë më të mirë të Totenhemit, Dele Ali, me të cilin klubi nënshkroi një kontratë të re, duke ia dyfishuar pagën nga 55 000 sterlina në javë në 110 000 sterlina, një shumë, e cila në fakt është më e ulët në krahasim me atë që marrin lojtarët e kalibrit të tij në klubet e tjerë të Premier Ligës angleze.
Me pagën e re Dele Ali do t’u afrohet lojtarëve kryesorë të këtij ekipi, Hari Keinit dhe Jan Vertongenit, ndërkohë që para tyre është vetëm kapiteni Loris që merr 135 000 sterlina në javë. Por, sidoqoftë, paga e Dele Alit është shumë mbrapa asaj të futbollistëvë të tillë, si Mhitarian (Arsenal), Shnajderling (Everton), Drinkuoter (Çelsi)… që, në përgjithësi, nuk janë lojtarë të formacionit të parë të ekipeve, me të cilët luajnë.
Sfidanti.al