Titulli në Angli u bë “ujë i ngrohtë, ujë i ftohtë”, del tjetër variant!

Klubet e Premier Ligës, mesa thuhet, po e ndjejnë veten tepër të turpëruar që po flasin shumë për fatin e këtij sezoni, në një kohë që atdheu i tyre, Anglia apo e gjithë Britania e Madhe, po lufton me një kërcënim shumë më të madh, dhe më jetik. “Kemi frikë se po dukemi si fëmijë të llastuar, ndërsa kombi është në një hall të madh”, komenton fjalët e tyre tabloidi “Deili Meil”. Gjithsesi, ky turp nuk po i ndalon që të flasin sërish për Premier Ligën.

Në vend që të bënin gjënë e duhur, pra të mbyllnin gojën e të prisnin (duke diskutuar, pa dyshim, mes tyre çështjen e kontratave të shumta), bosët e klubete angleze kanë hedhur idenë se kampionati duhet anuluar fare, qoftë edhe sikur kjo të bëjë që Liverpuli të mos e fitojë titullin plotësisht të merituar. Sipas “Deili Meilit”, po rritet numri i klubeve që duan që të braktiset ky sezon. Gjithsesi, çdo konsiderate që jepet mund t’i shtohen fjalët “për momentin”, pasi askush nuk e di se kur mund të përfundojë gjendja e emergjencës, ndërsa është e sigurt që nëse do të jepet mundësia, ndeshjet do të luhen edhe në korrik e gusht.

Sfidanti.al