Tifozë të Çelsit, kaq shpejt kërkoni “kokën” e legjendës Lampard!

Humbja me Liverpulin ishte e rëndë, por edhe mund të pritej, pasi po luhej kundër kampionëve, ndërsa Çelsi ishte me shumë ndryshime. Gjithsesi, në fushën e Uest Bromit u prit reagim, diçka që Blutë e Londrës e bënë, por vetëm pas pushimit e thjesht duke shmangur humbjen. Skuadra nga Birmingami kryesoi 3-0 në pjesën e parë dhe u desh goli i Tami Abrahamit në sekondat e fundit shtesë për t’u larguar nga stadiumit me 3-3. Tifozët e Çelsit ishin shumë të zemëruar pas ndeshjes, duke u hedhur në sulm kundër trajnerit në rrjetet sociale, sidomos në Tuiter.

Ata shkruajtën se skemat e Lampardit ishin shabllon, pa fantazi, “jepi topin Risi Xhejmsit dhe kroso”. “Merr lojtarët më të mirë të botës, po të duash, por është e kotë me trajnerin që kemi”, shkruan një tjetër, ndërsa kritikat ishin të forta për portierët Kepa e Kavajero, për Kai Havercin dhe Tiago Silvën, fajtor në golin e dytë. Kallëm Robinson shënoi dy herë radhazi në 4’ e 25’, Kajl Bartlej shënoi të tretin në 27’. Mejzën Maunt (55’), Hadson-Odoi (70’) dhe Abraham (90’+3) realizuan pas pushimit. Çelsi ka 4 pikë pas 3 javëve kampionat, me golaverazhin 6-6.

Sfidanti.al