S’ndalet orteku i parave,  Guardiola do ta blindoj më shumë Sitin?

Mbas një numri të madh trofesh që ai ka fituar me Barcelonën dhe Bajernin e Mynihut, Pep Guardiola e meriton që të jetë një nga trajnerët më të mirë në botë, por, sidoqoftë, që nga ardhja e tij te Mançester Siti, ai e ka shpenzuar më shumë se gjysmë miliard euro dhe, ndërkohë, kjo gjë i duket atij pak! Ky trajner katalonjas i ka kërkuar kryesisë se klubit para të tjera që ta bëjë ekipin akoma të fortë. Mbasi i humbi të dy ndeshjet me Liverpulin me rezultatin e përgjithshëm 1-5, Guardiola vuri në dukje se ai ka nevojë për futbollistë të rinj.

“Aktualisht, futbollistët më të mirë kushtojnë shtrenjtë. Neve na duhen para për blerjen e futbollistëve të rinj që ne të mund të luajmë në një nivel të lartë gjatë të gjithë sezonit”, tha Guardiola, duke shtuar: “Ne ende nuk jemi të përgatur aq sa duhet që të bëjmë një hap të madh në kuptimin që të luajmë gjithnjë në një nivel më të lartë”.

Guardiola, që nga qershori 2016, kur mori përsipër Sitin, për 12 përforcimet e reja që ka marrë, ka shpenzuar mbi 500 milionë euro. Më shumë ai ka paguar për Amerik Laportin që erdhi, gjatë dimrit, nga Atletiko e Bilbaos, ndërsa për mbrojtësin Xhon Stouns nga Evertoni ai pagoi 52 milionë euro, për Kajl Uokerin e Totenhemit – 50 milionë euro, për Bernardo Silvën dhe Benxhamin Mendin të Monakos – 110 milionë euro.