Sa herë humbet Arsenali, Venger mallkon vendimet e arbitrave

Arsen Venger është shumë i zhgënjyer nga arbitri për dy golat që pësoi skuadra e tij. Sane ishte disa centimetra në golin e barazimit, ndërsa David Silva ishte në pozicion gjithashtu jashtë loje kur interferoi në pamjen e Çehut në golin e dytë të Sterlingut.

Ndiej se ramë fizikisht në pjesën e dytë. Në pjesën e parë ishim gjithnjë të rrezikshëm dhe të freskët. Por, mbi të gjitha, vendimet në këtë ndeshje ishin kundër ndesh. Dy golat ishin ofsajd dhe në një ndeshje të kësaj stature ato vendosin. Mjaft më! Kemi pësuar vendimet e gabuara gjatë gjithë sezonit”, tha trajneri i “topçinjve”.

“Goli i dytë është 5 metra ofsajd. I pari ishte në pozicion jashtë loje. Por çfarë mund të bëj unë? Duhet të jetojmë me këtë. Duhet të analizojmë atë që ne nuk bëmë mirë dhe pse e humbëm ndeshjen”, shtoi menaxheri francez, i cili pranoi se në pjesën e dytë Arsenali e ka të vështirë të gjejë rrjedhshmërinë e lojës së tij.

“Është për të ardhur keq, sepse në këto dy ndeshje ne ishim në avantazh 1-0 dhe i humbëm 2-1. Fizikisht është gjithashtu e vështirë, sepse kemi luajtur 4 ndeshje nga 5 në transfertë, me një periudhë shumë të shkurtër për t’u riaftësuar nga e shtuna deri të martën, pasi u kthyem nga Bazeli. Mund ta vinit re se në pjesën e dytë ramë shumë fizikisht”.

I pyetur nëse kjo rënie e “topçinjve” vinte nga një problem psikologjik, Venger u përgjigj: “Jo, ata nuk krijuan shumë raste. Është më shumë fizike mendoj unë. Është një javë e tmerrshme, por pjesë e sezonit gjithashtu. Fatkeqësisht, ajo që është e tmerrshme është kalendari dhe ne e dinim që do të ishte një javë e vështirë, sepse kishim edhe Champions-in. Por na vjen keq, sepse ishim në kontroll të këtyre dy ndeshjeve. Psikologjikisht jemi të fortë dhe duhet të përgjigjemi tani”.