Roi Kin, Murinjo e Geri Nevil “i japin” titullin Liverpulit

Nuk ishte e lehtë për dy ish-“djaj të kuq” që të thonin këto fjalë, por “qendruan shtrembër e folën drejt”. Roi Kin, ish-kapiten i Mançester Junajtidit, dhe Geri Nevil, ish-mbrojtës në “Old Traford”, gjykojnë se Liverpuli tashmë mund të thuhet se e ka fituar titullin për këtë sezon të Premier Ligës. “Nuk jam i zoti për të vënë baste, – tha Kini, – por, mendoj se gjithçka ka përfunduar. Ata (Liverpuli) janë në formë të madhe. Nuk them se do ta kenë të lehtë, po të ishte kështu, titullin mund ta fitonte kushdo, por Liverpuli është një skuadër shumë e ashpër dhe që kërkon gjithnjë maksimumin”.

Zhoze Murinjo kishte thënë që përpara ndeshjes se Liverpuli do të quhej kampion nëse fitonte ndaj Sitit, dhe pas takimit u bashkua me mendimin e Kinit. “Nga pozicioni im, mendoj se ka marrë fund, – tha ai, – do të duhet diçka dramatike që kjo të mos ndodhë, të ketë dëmtime të rëndësishme që mund të prishin skuadrën. Mendoj se skuadra është një mozaik i plotësuar, i është përshtatur cilësive të lojtarëve. Mjafton të shikosh pozicionin e Salahut e Manesë, dhe punën që bën Firmino për ta”. Edhe Geri Nevil gjykoi se Liverpuli është i pakapshëm, ndërsa kritikoi taktikën e Pep Guardiolës, duke deklaruar se mbrojtja e Mançester Sitit ishte e dobët në “Anfild”.

Sfidanti.al