Rikthim legjende, por Lampard ndihet “i vjedhur” nga Çelsi

Publiku e priti siç duhet ish-birin e tij të kthyer tashmë në “plangprishës”, dhe Frenk Lampard ishte shumë mirënjohës, edhe pse tepër i zemëruar në fund. Ish-legjenda e bluve u kthye si kundërshtar në “Stemford Brixh”, si trajner i Derbi Kauntit në ndeshjen e Kupës së Ligës ndaj Çelsit, të humbur në mënyrë dramatike 2-3.

Në një ndeshje të fortë, tipike të Kupës, skuadra e Lampardit u mund nga një gol që erdhi nga një faull i padhënë nga gjyqtari, dhe i pasinjalizuar nga anësori që u ndodh shumë pranë. “Ishte një faull i hapur fare, – u shpreh “Lampsi” në përfundim, – nuk është normale që VAR-i të mos i kapë gjëra të tilla”.

Sesk Fabregas përfitoi nga ky trajtim i ndeshjes nga teknologjia për të shënuar golin e fitores në minutën e 41-të të pjesës së parë. Për fat të keq të Lampardit, ekipi i tij shkaktoi dy autogola, nga Fikaio Tomori dhe Riçard Kiog, pra i bie që dërgoi në rrjetë 4 nga 5 golat gjithsej. Xhek Marriot dhe Martin Uaghorn ishin autorët e duhur të rrjetave për Derbi Kauntin.

Sfidanti.al