“Prima dona” Tuhel dhe Çelsi, “martesë e lumtur” apo divorc i shpejtë?!

Në “Stemford Brixh” është e vështirë të bëhen parashikime, dhe me Roman Abramoviçin vështirë të ketë histori të tipit Sër Aleks Ferguson, Arsen Venger apo Jurgen Klop. Shembulli më i fundit ishte shkarkimi i Frenk Lampardit, ndërsa më parë ishin “prerë koka” si Murinjo, Ançeloti, Hidink, Benitez apo Konte. Po Tomas Tuheli çfarë fati do të ketë?

Trajneri gjerman cilësohet si një “divë në stol”, një “prima donë”, ndonëse i ndryshëm nga Zhoze Murinjo, por sidoqoftë një trajner tepër i vrullshëm, me ide tepër të avantgardës, me përplasje pa u ruajtur aspak me drejtues e yje të ekipit. Tek Dortmundi ndoshta ishte tepër i ri, ndërsa tek PSG-ja një njeri kaq ambicioz dhe pa “frena” në gjuhë u ndodh në një “kotec me shumë gjela”. U prish me Leonardon, si dhe pati përplasje me Nejmarin e Mbapenë.

Tek Çelsi, natyra e tij sfiduese dhe protagoniste mund të krijojë probleme me Roman Abramoviçin apo Marina Granovskajën, por gazetat angleze theksojnë me të drejtë një plus për gjermanin. Çelsi i sotëm duket si i ndërtuar enkas për të. Nuk ka “galaktikë”, ka shumë lojtarë të rinj dhe disa gjermanë, pra që mund të përshtaten me Tuhelin. Me Havercin, Vernerin, Pulishiçin, Abrahamin, Tiago Silvën ai mund të ketë sukses.

Sfidanti.al