Plot 500 milionë euro shpenzim dhe ja finalja e parë e Guardiolës!

Sezoni i parë përfundoi me duar bosh. Nuk ishte mësuar kështu Pep Guardiola, as edhe një herë në karrierën e tij, veçse edhe “nxënësit” më të mirë e marrin një “notë të dobët”. Gjithsesi, trajneri i Mançester Sitit është sot “një vit më i madh” dhe ja ku do të luajë finalen e parë në Angli. Asgjë nuk është e sigurt, pasi përballë ka një specialist finalesh si Arsen Vengerin dhe Arsenalin e tij, por gjithsesi është mundësia e parë për trofe në futbollin ishullor.

Presioni ishte shumë i madh pas më shumë se 500 milionë eurove të shpenzuara që nga vera për të forcuar skuadrën që doli huq vjet, por Guardiola u tregua një ish-trajner i denjë i Barcelonës së artë, duke e përballuar. Mançester Siti dhe ai vetë nuk besohet se do të mbeten pa trofe këtë herë, madje do të kenë trofe të rëndësishëm. Mbi të gjitha, Premier Ligën, që duket e fituar, ndërsa do të luftohet edhe për Championsin. Sidoqoftë, le të mos hyjnë “drejt e në thela”, le të kënaqen me Kupën “e vogël” të Ligës që do të diskutohet nesër në orën 17:30, në stadiumin “Uembli” të Londrës.

Sfidanti.al