Pelegrini i kujton Klopit vitin 2013: Është mësuar të fitojë ashtu!

Liverpuli barazoi në fushën e Uest Hemit, në Premier Ligë, por ndihmë pati edhe nga gjyqtarët pasi në rastin e golit të Manesë, Xhejms Milner ishte në pozicion jashtë loje. Vijërojtësit nuk ndërhynë dhe skuadra e Jurgen Klopit kaloi në avantazh, edhe pse nuk qe në gjendje që ta ruante.

Trajneri i Uest Hemit, Manuel Pelegrini, mbeti shumë i pakënaqur nga kjo, aq më tepër që pati një përballje me Klopin pas ndeshjes, ndërsa trajneri gjerman u konfrontua edhe me gjyqtarët. Ai i kujtoi gjermanit një ngjarje të vitit 2013, kur Borusia e Dortmundit eleminoi Malagën në çerekfinale të Championsit, me rezultatin 3-2 dhe falë një goli ku 4 lojtarë ishin në pozicion jashtë loje.

“Klopi është mësuar të fitojë në këtë mënyrë, – ishin fjalët e hidhura të Pelegrinit, – ai më mundi kur isha tek Malaga me një gol që ishte 7 metra pozicion jashtë loje. Ata shënuan ndaj nesh (Uest Hemit) duke qenë 1 metër pozicion jashtë loje dhe, në minutën e fundit, Origi pati rast goli sërish 1 metër pozicion jashtë loje, dhe vijërojtësi nuk sinjalizoi gjë”.

“Ne donim të fitonim për vete, por nëse do të ndihmonim edhe Sitin, kjo do të më pëlqente, pasi ai është gjithashtu klubi im, – vazhdoi Pelegrini, që ka qenë trajner i Mançester Sitit, – ndoshta, kjo është arsyeja që Klopi nuk më ka qejf”.

Sfidanti.al