Ore Zhoze, shumë mirë që u mbrojte për Kejnin, por ç’pate me Drogbanë!

Quhet Murinjo dhe shpesh kundërshton edhe kur të tjerët kanë të drejtë, jo më kur ata gabojnë. Trajneri i Totenhemit nuk e duroi dot kritikën e ish-yllit të Arsenalit, Pol Merson, që deklaroi se “fakti që Harri Kejn nuk shënoi ndaj Mançester Junajtidit, në një farë mënyre tregon sesi do të jetë ai nën drejtimin e Murinjos”.

Ky i fundit reagoi menjëherë, dhe me të drejtë. Kjo sepse Harri Kejn kishte shënuar 7 gola në 11 ndeshje për Murinjon, derisa u dëmtua. “Unë dua të jem i qetë, të respektoj të tjerët dhe të flas me fakte, – deklaroi portugezi, – është shumë e lehtë të gjenden statistikat e Harri Kejnit me mua. A duhet të harroni se ai kishte 6 muaj që nuk luante?”

Më tej, tekniku i “gjelave” të Londrës, u hodh në sulm, por edhe gaboi. “Unë kam pasur një djalë, Didie Drogbanë, që shënoi 186 gola për mua, që do të thotë 46 në sezon”. Në të vërtetë, Drogba luajti 186 ndeshje për Çelsin e Murinjos, dhe Zhozeja e ngatërroi, ndërsa shënoi 73 gola. Për statistikat e tjera, ndoshta trajneri ishte më mirë, pasi përmendi Ronaldon që shënoi 168 gola me të, tek Reali, foli për Zllatan Ibrahimoviçin apo Diego Militon.

Sfidanti.al