Murinjos ende nuk i del inati me Pogbanë, francezi në udhëkryq

Ishte padyshim një nga ndeshjet e tij më të mira të sezonit. Pol Pogba detyroi edhe kritikët e tij më të ashpër, si Pol Skouls apo Rio Ferdinand, që ta lavdëronin pas paraqitjes në fushën e Bornmuthit. Ylli francez, i blerë për 105 milionë euro, tregoi se përse Mançester Junajtidi i shpenzoi ato para, duke ndihmuar fort në suksesin 2-0 në Premier Ligë. Gjithsesi, kjo nuk mjaftoi që të fitonte zemrën e njeriut më të rëndësishëm në “Old Traford”, Zhoze Murinjos.

Trajneri portugez e zëvendësoi Pogbanë, dhe e priti ftohtë kur ai erdhi të takonte lojtarët dhe stafin në stol. Më pas, e urdhëroi që të mos shkonte në dhomën e zhveshjes për të bërë dush, por të ulej në stol, bashkë me të tjerët, për të pritur fundin e ndeshjes. Në përfundim të ndeshjes, Murinjo u shpreh sesi ndihej, edhe pse nuk e përmendi me emër Pogbanë.

“Ju e dini se unë nuk e pranoj këtë situate, – tha ai, – kjo është arsyeja që fytyra ime pas kësaj ndeshjeje është sërish fytyra që kisha pas humbjes së të dielës, jo e një trajneri që fiton ndeshjen. Unë jetoj sërish me emocionet e së dielës së kaluar. Unë e di sesi fitohen titujt, dhe e di se përse fitohen apo përse humben. Me gjithë respektin për Mançester Sitin, që e meriton titullin kampion, mendoj se ne duhej të kishim të paktën 10 pikë më shumë”.

Mesazhi ishte i qartë. Pogba dhe yjet e tjerë nuk mund ta kalojnë klasën duke luajtur mirë vetëm disa herë në sezon. Mançester Junajtid forcoi pozitat në vendin e dytë të Premier Ligës, duke lënë Liverpulin 4 pikë prapa, veçse një trajner si Murinjo nuk mund të ndihet i lumtur me kaq. Jo më kot, portugezi ka fituar 8 tituj kampion në 4 vende të ndryshëm, dhe plot 23 trofe në karrierë.

Sfidanti.al