Murinjo “mjaltë dhe kripë” pas fitores së parë me Totenhemin

U kthye me fitore, duke larguar dyshimet dhe madje shqetësimet që pati. Zhoze Murinjo ndoshta mund të ketë nisur një tjetër epokë triumfuese në futboll, por nuk mbeti 100 për qind i kënaqur me atë që ndodhi në duelin e Totenhemit në fushën e Uest Hemit. Pasi kryesoi bindshëm 3-0 dhe iu afrua një suksesi të bujshëm, skuadra e tij pësoi dy gola duke rrezikuar madje tri pikët.

“Isha shumë i lumtur derisa ishim në epërsi 3-0, – tha portugezi, – ne po luanim mirë, dhe po krijonim atë që kishim bërë në stërvitje, madje kishim mundësi për 4-0. Veçse, unë kam kaq përvojë në Premier Ligë sa ta di se nuk mund të jesh aspak i shkujdesur”. Murinjo u shpreh se i kishte thënë lojtarëve në pushim se “edhe po të jemi 3-0, sërish ndeshja do të mbetet e hapur deri në minutën e 85-të”.

Gjithsesi, Zhoze i justifikoi disi futbollistët duke thënë se “ndikoi lodhja e ndeshjeve të kombëtareve, si dhe emocionet pas largimit të trajnerit të mëparshëm”. Totenhemi fitoi dhe lojtarët janë të lumtur, dhe kjo është gjëja që vlen për Murinjon. Spërsat shënuan me anë të koreanojugorit Son, pastaj me Lukas Mourën dhe Harri Kejnin, por në minutat e fundit, Uest Hemi shkurtoi diferencën me anë të Majkëll Antonios dhe Angelo Ogbonasë.

Sfidanti.al