Murinjo-Lampard, këshillat “armiqësore” mes mësuesit dhe nxënësit argëtojnë Anglinë!

Nuk i thonë shaka kur luhet derbi i Londrës, Totenhem-Çelsi, edhe pse në të tetat e Kupës së Ligës së Anglisë, dhe përpara tribunave të zbrazura të stadiumit “Uajt Hart Lejn”. Totenhemi i Zhoze Murinjos ia doli të triumfonte në fushën e vet, edhe pse u ndodh në pozita të vështira në pjesën e parë, ndërsa nervat e kësaj sfide u ndjenë kur dy trajnerët u përplasën verbalisht. Ishin disa sekonda acarimi dhe polemike mes portugezit dhe ish-nxënësit të tij, Frenk Lampard.

“Unë i detyrohem Frenkut gjithçka që ai bëri për mua, dhe ai dha gjithçka që kishte si lojtar, – tha Murinjo më pas, – më erdhi keq kur ndeshjen e kaluar po humbiste 0-3 në pjesën e parë, dhe ai ishte ulur i dëshpëruar në stol. Sot nuk i dhashë këshillë për futbollin, sepse ai e njeh mirë, por i thashë se tregohu aktiv kur skuadra po humb, dhe ulu në stol kur skuadra po fiton”.

Tekniku i Çelsit po ashtu sqaroi përplasjen, duke dhënë versionin e tij. “Thjesht po bënim pak humor në vijën anësore, – ishin fjalët e Lampardit, – unë shkoj shumë mirë me Zhozen, ai më tha diçka, ndërsa unë iu përgjigja se ai po fliste me gjyqtarin më shumë sesa po fliste me lojtarët e tij. Ishte thjesht një moment, dhe Zhozeja ndoshta ishte i acaruar. Në fund të ndeshjes gjithçka ishte normale. Unë kam respekt maksimal për të, dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë”.

Ndeshja pati edhe humor, kur Murinjo dhe futbollisti i tij, Erik Dajer, u detyruan të braktisnin fushën për pak minuta, për shkak të urgjencës për të kryer nevojat personale. Timo Verner shënoi golin e tij të parë për Çelsin që luajti më mirë në pjesën e parë, ndërsa Erik Lamela barazoi për Totenhemin që ishte më lart pas pushimit. Spërsat u kualifikuan me anë të penalltive, duke i realizuar të pesë gjuajtjet, ndërsa për Blutë gaboi vetëm lojtari i fundit, Mejzën Maunt.

Sfidanti.al