Murinjo i Totenhemit, si njeriu që premton përpara priftit!

Epo ndoshta do të na bëjë që ta hedhim në kosh shprehjen e urtë “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron”. Zhoze Murinjo bëri shumë premtime në konferencën e tij të parë për shtyp me gazetarët, si trajner i Totenhemit, aq sa u duk se kishte shkuar në kishë për t’u rrëfyer e për të larë mëkatet.

“Unë jam një njeri tjetër tani (njeri i ri), më i mirë, dhe më i përkorë, – deklaroi ai para mediave,  – unë sot jam në gjendje të analizoj karrierën time dhe të le pas gabimet”. Më pas ai premtoi se “do ta hedh në kosh stilin mbrojtës të futbollit, dhe do të përqafoj lojën aventureske sulmuese të paraardhësit tim”. Gazetat menjëherë ia ndërruan “etiketën” nga “i veçanti” në “i përkori”!

Pasi gazetarët i kujtuan premtimin e tij të famshëm se “nuk do të jem kurrë trajner i Totenhemit”, Murinjo dha përgjigjen që e kishte menduar që më parë se “ajo u tha përpara sesa të më shkarkonin nga Çelsi”, ndërsa premtoi se (që të bindë skeptikët) “do të vesh pizhamat e Totenhemit dhe do të fle me to”. Mbetet të shihet nëse këto premtime do të mbahen, pra nëse shprehja “ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron” mund të dalë e pavërtetë në rastin e Zhoze Murinjos.

Sfidanti.al