Liverpuli thyen rekordin e blerjeve për “atë që bën gjithçka”, Kai Havercin!

Ka një emër të veçantë, dhe një talent ndoshta edhe më shumë se kaq. Quhet Kai Haverc, është vetëm 20 vjeç dhe luan në Bundesligën gjermane me Leverkusenin. Për këtë futbollist, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, është gati të thyejë rekordin e transferimeve të klubit. Mediat britanike njoftojnë se kampionët e Europës janë gati të paguajnë 107 milionë paundë stërlina, që do të thotë mbi 125 milionë euro, mjaft që ta marrin mesfushorin e talentuar.

Kjo do të thotë se klubi anglez do të tejkalojë ndjeshëm shumën-rekord që pagoi për afrimin e një lojtari, dhe pikërisht 85 milionë eurot që iu dhanë Sauthemptonit për Virgil Van Dajkun, mbrojtësin holandez të qendrës, padyshim një nga lojtarët më të mirë të botës.

Liverpuli duhet të veprojë shpejt, pasi Haverc kërkohet edhe nga shumë klube të tjerë. Mbi të gjithë, talenti i tij ka tërhequr vëmendjen e Bajernit të Mynihut, por padyshim që do ta tentonin klube nga Spanja si Reali e Barcelona, Juventusi apo Interi në Itali, Paris SG në Francë, apo edhe emra të tjerë të mëdhenj në Angli.

Haverc është lojtari më i ri që luajti 50 dhe 100 ndeshje në Bundesligë, përdor shkëlqyeshëm të dy këmbët, dhe ka një talent vërtet të rrallë. Mediat gjermane e cilësojnë si “Aleskëner”, pra si lojtari që mund të bëjë gjithçka. Ai cilësohet edhe si e ardhmja e kombëtares gjermane, ndërsa është thirrur në skuadër nga trajneri Joakim Lëv.

Sfidanti.al