Lampardi i lumtur: Ju pata thënë se cili është Kai Haverci!

Natyrisht nuk ishte një nga ndeshjet më të vështira, por kur shkëlqen pas vetëm tri sfidave zyrtare padyshim që ka shumë rëndësi. Kai Haverc ishte vetvetja në fitoren 6-0 të Çelsit në Kupën e Ligës ndaj Barnslejt, duke shënuar 3 gola për Blutë e Londrës. Pas kritikave për paraqitjet në dy ndeshjet e para të Premier Ligës, mesfushori ofensiv gjerman këtë herë bindi plotësisht. “Jam i lumtur me Kain, – tha trajneri Frenk Lampard, – ishte pikërisht mbrëmja që doja për të. Ai nuk ka qenë aq mirë më përpara, por kjo ka ndodhur sepse ai nuk ka qenë me ne në fazë përgatitore, po ashtu nënshkrimi i kontratës i humbi disa ditë stërvitjeje. Ai do të jetë shumë i mirë sapo të arrijë formën e duhur fizike”. Çelsi e mori Havercin për 100 milionë euro nga Leverkuseni i Bundesligës, ndërsa në ndeshjen e Kupës së Ligës golat e tjerë u shënuan nga Abraham, Barklej dhe Zhiru.

Sfidanti.al