Kritika Pogbasë: Ju nuk doni një problem 110-milionësh!

Frenk Lampard dhe Xhemi Karrager janë dy ndër lojtarët më të shquar të 15-20 viteve të fundit në Angli. Ata “dëgjoheshin” më vëmendje kur ishin në fushë, dëgjohen po ashtu me kujdes edhe tani që flasin nga studiot televizive. Objekti i radhës për ta, sigurisht vendosur nga drejtuesi i emisionit, ishte Pol Pogba. Si i duket francezi i talentuar, ish-mesfushorit të Çelsit dhe ish-mbrojtësit të Liverpulit?

“Ai nuk është përcaktues në një ndeshje, – thotë Lamps, – ai mund të jetë, por ende nuk është. Junajtid ka shpenzuar 90 milionë stërlina (110 milionë euro) për një produkt të papërfunduar”. “Kur një lojtar vlerësohet 90 milionë stërlina, atëherë nga ai pritet shumë, – vazhdoi Frenku, – ai ende nuk e ka dhënë maksimumin. Ai ka potencial, por zakonisht 90 milionë jepen kur merr Suarezin, Ronaldon, Mesin. Askush nuk dëshiron në ekip një problem prej 90 milionësh, por unë kam besim se Murinjo do ta përmirësojë”.

Karrager po ashtu është kritik. “Ai nuk është aspak aq i mirë sa duhej të ishte dhe ai nuk ka disiplinën e duhur, – tha “Karra”, – ai është një problem në lojën mbrojtëse, pasi vepron shumë vonë. Gjithsesi, ai ka aftësi të madhe për të dhënë pasime dhe duket se ka partneritet të madh me Zllatan Ibrahimoviçin”.

Sfidanti.al