Konte apo Diego Kosta, kush do ta fitojë luftën tek Çelsi?

Trajner futbolli do të thotë një nga profesionet më të vështirë në botës. Pavarësisht se futbolli quhet “më i rëndësishmi ndër gjërat e parëndësishme”, sërish në një sistem të ndërtuar mbi bazën e miliardave dhe të miliona tifozëve, presioni është i skajshëm. Antonio Konte e provoi edhe një herë shkallën e vështirësisë së punës, kur u përplas me futbollistin e tij shumë të mirë dhe shumë të keq, Diego Kosta.

Shkak i konfliktit mes tyre ishin kritikat e trajnerit për lojën e sulmuesit në pjesën e dytë të përballjes në Premier Ligë ndaj Leiçesterit. Më saktë, ishte mënyra sesi po luante Kosta që e detyroi Konten t’i hiqte vërejtje. Çelsi po kryesonte bindshëm që në pjesën e parë, dhe pas pushimit, “blutë” e Londrës sikur e ulën ritmin. Italiani i thirri spanjollit duke kërkuar të bënte presion ndaj mbrojtësve kundërshtarë, por reagimi i Diego Kostës ishte i papritur. Ai i bëri shenjë trajnerit që ta zëvendësonte.

Nuk mbaroi me kaq, pasi në përfundim të ndeshjes sulmuesi u soll si ndonjë “i fortë”, duke e pritur trajnerin dhe duke debatuar me të. Konte, i njohur si njeri me shumë karakter, u përplas pa lëkundje dhe ata që ishin dëshmitarë në skenë u trembën se mos konflikti bëhej fizik. Burime tek Çelsi thonë se nuk ishte kjo hera e parë që të dy grindeshin, por ishte sherri më i keq.

Gjithsesi, pati edhe një arsye tjetër të përplasjes. Kosta dëshironte të dilte nga fusha edhe sepse nuk donte të merrte karton të verdhë dhe të humbiste sfidën ndaj Mançester Junajtidit në 23 tetor, por Konte refuzoi duke thënë se një lojtar me personalitet si sulmuesi duhet të luajë deri në fund.

B. Kuka