Kokën lart Solskjer, humbja e parë do të vinte një ditë!

Idhulli dhe paraardhësi i tij humbi që në ndeshjen e parë. Karriera e Sër Aleks Fergusonit nisi shumë më keq se kjo e Ole Gunar Solskjerit, pasi skocezi “hëngri dru” që në fillim nga Oksford Junajtidi, pastaj barazoi me Noruiçin, dhe më në fund ia doli të fitonte (1-0 me Kuins Park Rejnxhërsin). Në krahasim me të, norvegjezit iu deshën 81 ditë që të pësonte disfatën e parë në garat kombëtare në Angli.

Arsenali e mundi 2-0 Mançester Junajtidin, në “Emirejts”, dhe i zuri vendin e katërt në renditjen e Premier Ligës, në një sfidë të çuditshme nën shiun e dendur londinez. Të dyja skuadrat bënë lojën, Junajtidi goditi dy herë shtyllën, Lukaku, Rashford e të tjerët u ndaluan nga portieri Bernd Leno, ndërsa Arsenali bëri golat.

Granit Xhaka që në 12’ me një gjuajtje madhështore nga shumë larg, dhe Pjer Emerik Obamejang me penallti në 69’. Unai Emeri, më në fund, po tregon se po e ngre skuadrën e tij aty ku duhet. Nuk duhet marrë shumë parasysh humbja në Ligën e Europës, pasi synimi kryesor është kualifikimi për në Champions, dhe Arsenali për momentin është aty.

Xhaka, Leno, Papastatopulos, Koshielni, Kolashinac apo Ramsej ishin “shtyllat” e vendasve, Obajemangu ishte rreziku i përhershëm për të shënuar, dhe Meitlend-Najls u shfaq si një talent i ri dhe premtues. Përballë tyre, De Gea apo Pogba e humbën duelin, dhe Solskjer duhet të nisë nga e para që të “gjurmojë” Championsin.

Kur duhen edhe 8 javë deri në mbyllje të kampionatit, renditja nga vendi i tretë në të gjashtin është e tillë: Totenhemi 61 pikë, Arsenali 60, Man. Junajtid 58, Çelsi 57!

Sfidanti.al