Klopi habitet me Roi Kinin: Vërtet mendon se Liverpuli luajti dobët?!

Është shumë i këndshëm, aq sa Zhoze Murinjo e ka quajtur “adoleshent”, por nuk lejon “miun t’i kalojë nën mustaqe”. Jurgen Klopi reagoi shpejt kur dëgjoi nga Roi Kini, sot opinionist në Skaj Sports, se Liverpuli i tij kishte luajtur dobët ndaj Arsenalit. “A e dëgjova mirë që zoti Kin tha se ishte një paraqitje e dobët, – e nisi tekniku gjerman, – a e tha atë gjë? Dua ta dëgjoj dhe ky është një përshkrim i pabesueshëm i ndeshjes. Asgjë, absolutisht asgjë nuk ishte e dobët, ne ishim dominues ndaj një skuadre shumë në formë, dhe ne ishim shumë të kujdesshëm të mos ziheshim në befasi nga kundërsulmi. Alisoni vërtet bëri një pritje, ata patën 2 raste, por përveç këtyre, futbolli ynë ishte i jashtëzakonshëm, ishte e kundërta e të dobtës”.

“Ne kishim shumë momente të shkëlqyer dhe as nuk më shkon në mendje se mund të shënonim gola sa herë që kishim raste, – vazhdoi Klopi, – ne ishim 0-1, por fituam dhe ishte plotësisht e merituar. A mund të shënonim më shumë gola? Po! A mund të shënonte më shumë gola Arsenali? Po. Ne bëmë vazhdimisht presion. Si mund të mbrohesh nga Obamejangu nëse nuk bën presion larg portës. Ne i ndëshkuam kohë pas kohe, nuk i ndëshkuam menjëherë, por e vramë një pjesë të planit të tyre. Mund të pësonim gola, por luajtëm fort, qendrueshëm dhe krijuam shumë raste”.

Sfidanti.al