Kantona: Jepini kohë Murinjos, futbolli nuk është shkencë!

Ne mund të heshtim dhe të dëgjojmë. Po flet një legjendë. Një që quhet Erik Kantona që, pasi fitoi kampionatin me Lidsin në 1992, një vit më vonë i shpëtoi vendin e punës Sër Aleks Fergusonit duke e shpallur kampion Mançester Junajtidin. Çfarë mendon francezi trim për atë që po ndodh me ish-ekipin e tij?

“Le të flasim tani për “elefantin e madh” këtu në dhomë, – tha ai për “Eurosportin”, – për “Specialin” (Murinjon), për Suedezin (Ibrën), për Më të Shtrenjtin (Pogbanë), për atë që më vodhi numrin (Depain) dhe për atë me flokë artificial (Runin). Le t’u japim këtyre kohë, pasi futbolli ta marrë dreqi, nuk është shkencë ekzakte”.

Kantona ka edhe një shpresë që Murinjo nuk do të dorëzohet në asnjë mënyrë. “Dy armiqtë e tij të betuar, Guardiola dhe Venger janë në krye të tabelës, ndaj nuk mendoj se Zhoze do të pranojë të quhet i mundur, ai do të bëjë çmos për t’ia dalë”, – gjykoi ish-numri 7.

Një shaka edhe për postin e trajnerit të Anglisë. “U kisha thënë drejtuesve të Federatës Angleze që nëse do të kisha qenë unë trajner i Anglisë, gjithë kjo rrëmujë nuk do të kishte ndodhur, – tha ai duke qeshur, – unë nuk do t’i kisha këshilluar njerëzit sesi t’ua hidhnin rregullave të federatës, pasi unë nuk i njoh fare rregullat”. Kantona përfundon duke thënë se “ja pra që injoranca është e pafajshme”.

B. Kuka