Junajtid je shumë i mirë me të fortët, por kujdes me të dobëtit!

Ndaj 6 ekipeve të parë të renditjes së Premier Ligës ka marrë plot 14 pikë. Askush nuk është më mirë sesa Mançester Junajtid në këtë statistikë, me përjashtim të Liverpulit, por gjithsesi skuadra e trajnerit Ole Gunar Solskjer mbetet shumë poshtë në renditje në krahasim me Liverpulin, Sitin dhe Leisterin, ndërsa nuk ka asnjë siguri se mund ta fitojë derbin e së dielës. Tifozët kujtojnë eleminimin nga Kupa e Ligës dhe e kuptojnë se skuadra e tyre ka nevojë edhe të përmirësohet.

Në fund të fundit, në “Old Traford” vjen Mançester Siti që ka fituar 2-1 në fushën e Realit dhe që javën e kaluar fitoi Kupën e Ligës, ndërsa Junajtid mund të mburret se fitoi 3-0 në fushën e Derbi Kauntit në Kupën e Anglisë. Për më tepër, analistët theksojnë se “djajtë e kuq” janë të zotë për të luajtur në kundërsulm, ndaj edhe kanë hapësirë ndaj atyre që sulmojnë, por e kanë problem ndaj atyre që mbrohen. Të dielën duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e katërt dhe kualifikimin në Champions, ndërsa një humbje mund t’i zbriste në vendin e 8-të, e tillë është renditje e Premier Ligës.

Sfidanti.al