Jaja Ture, pas Arsenalit: Derbin e Mançesterit e dua pa arbitër!

Nuk i gëlltiti dot ato që i quajti gabime të pafalshme të gjyqtarit në gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë ndaj Arsenalit. Mesfushori dhe lideri i Man. Siti, Jaja Ture, nuk e përmbajti dot veten, por lëshoi një batutë të hidhur. “Të martën ndoshta (në derbin ndaj Junajtidit), ne duhet të kemi një gjyqtar më të mirë, ose përndryshe më mirë të luajmë fare pa gjyqtar”, – tha ai.

Arbitri Krejg Pouson anuloi një gol të rregullt të Kun Agueros në pjesën e parë, dhe po ashtu mund të kishte dhënë një penallti për Sitin kur Aguero u duk se u pengua në zonë nga Okslejd-Çembërlen. “Mendoj se gjyqtarët duhet t’i japin fund kësaj, – u shpreh Ture, më pas, – jam shumë i zhgënjyer dhe nuk ishte hera e parë”. Siti e humbi 1-2 gjysmëfinalen e Kupës së Anglisë në “Uembli”, pasi Aleksis Sançez shënoi në minutën e 111-të golin e fitores për londinezët.

Sfidanti.al