Hall i madh për pasardhësine Van Dajkut, por Klopi e ka zgjidhjen në “shtëpi”!

Në Angli është përpiluar menjëherë lista me mbrojtësit që mund të zëvendësojnë holandezin në qendër të repartit difensiv, por “gjuetia” e Liverpulit nuk pritet të jetë aspak e lehtë. Flitet për 5 kandidatura, që trajneri Jurgen Klop duhet të shqyrtojë dhe të vendosë për të plotësuar skuadrën, ndërsa Van Dajk nuk luan këtë sezon, dhe Zhoel Matip është për momentin i dëmtuar.

Dajot Upamekano i Lajpcigut ka klauzolë 42 milionë euro, por një klauzolë që aktivizohet vetëm verën e ardhshmë. Konor Koudi (Uolves) mund të kushtojë padyshim 40-50 milionë euro, Ëzan Kabak (Shalke) arrin në 45 milionë euro. Zhyl Konde u mor nga Sevilja për 25 milionë euro, por nuk pritet të lejohet për më pak se 40-50 milionë. Emri tjetër është Ben Uajt i Brajtonit, klauzola e transferimit e të cilit shkon në 55 milionë euro.

Gjithsesi, Klopi mund ta ketë një zgjidhje në shtëpi, pasi mesfushori Fabinjo luajti shkëlqyeshëm në krah të Xho Gomezit ndaj Ajaksit. Vlerësimet ishin shumë të larta për dyshen e qendrës së mbrojtjes, Fabinjo-Gomez, që zëvendësuan titullarët Van Dajk e Matip, dhe nuk lejuan prekje të rrjetës. Analistët Geri Lineker apo Rio Ferdinand lavdëruan shumë sidomos Fabinjon që luajti në rol jonatyral dhe sërish shkëlqeu. Nuk dihet se çfarë do të vendosë Klopi, që nuk do të ketë shumë dëshirë të paguajë 40-50 milionë euro për të marrë një mbrojtës që do të ishte rezervë e Van Dajkut.

Sfidanti.al