Habisin fjalët e portierit Grin, i tillë paska qenë vërtetë Sarri?!

Konflikti për të cilin flet gardiani 39-vjeçar ndodhi në përfundim të një ndeshjeje turpëruese në “Etihad”, ku Çelsi sapo ishte shkatërruar 0-6 nga Mançester Siti. Futbollistët ishin kokëulur para trajnerit të tyre, Mauricio Sarri, por njëri prej tyre, pikërish 39-vjeçari Rob Grin, vendosi të fliste. “Ti nuk ke një plan B, – ishin fjalët e Grinit, – ti je trajner i njëtrajtshëm. Lojtarët e tjerë nuk duan të flasin sepse kanë frikë për karrierën e tyre, por unë nuk kam frikë”. Grini tregon se foli për 15 minuta, dhe pas kësaj futbollistët e tjerë e përgëzuan dhe i thanë se ato ishin fjalët që edhe ata donin t’i thoshin.

Besohet, në atë moment mund të jetë dëmtuar reputacioni i Sarrit në sytë e skuadrës së tij, edhe pse Çelsi arriti në finalen e Kupës së Ligës dhe fitoi Ligën e Europës ndaj Arsenalit. Në finalen e “Uemblit”, humbur pas penalltive ndaj Sitit, një tjetër portier, Kepa Arrizabalaga, refuzoi vendimin e Sarrit për t’u zëvendësuar tek gjuajtja e 11-metërshave. Sezoni i italianit tek Blutë e Londrës ishte vërtet i vështirë dhe tifozët shpesh iu kthyen kundër. Grin tregon se stërvitjet e tij ishin të mërzitshme, “ne bënim shpesh të njëjtat ushtrime”, tregon portieri. Ai thekson se Sarri kishte besim në vetvete, por nuk ndryshonte skemat, edhe kur kundërshtarët e kuptonin. Tashmë, napolitani është në stolin e Juventusit, ku kryeson Serinë A  bashkë me Interin, por humbi Superkupën e Italisë në finale ndaj Lacios.

Sfidanti.al