Guardiola krenar, por edhe i habitur: Nuk mendoja se do fitonim kaq!

Padyshim që është një fitues serial, siç e tregon karriera e tij, që kur nisi futbollin e deri më sot. Prej 30 vjetësh, Pep Guardiola koleksionon trofe, dhe i fundit ishte ky i Kupës së Ligës në stolin e Mançester Sitit. Në total, tekniku katalanas ka 29 tituj të rëndësishëm, nga të cilët gati gjysma me Barcelonën e udhëhequr nga Lionel Mesi. Edhe me Sitin, sukseset po rreshtohen dhe tani janë 8.

“Ishte një fitore e madhe, një sukses që tregon se lojtarët tanë janë të veçantë, – tha Guardiola pas finales së Kupës së Ligës, – ne kemi fituar 8 nga 9 trofetë e fundit, dhe do të jetë e vështirë që dikush tjetër ta përsërisë këtë gjë. Jam krenar, por nuk e mendoja se do të fitonim kaq shumë. Këtë sezon kemi bërë edhe gabime, por jemi në garë për tituj të tjerë, ndaj duhet të përqëndrohemi sa më shpejt në ndeshjet e radhës”.

Siç e thamë më lart, Pepi i nisi sukseset që në 1990, kur luante për Barcelonën B. Duke përjashtuar titullin kampion në kategorinë e dytë, si futbollist ai ka 17 trofe gjithsej, 16 me Barçën dhe 1 me Spanjën (medalje e artë olimpike në 1992). Bashkë me titujt si trajneri, Pep Guardiola ka gjithsej 46 trofe. Përpara tij mbetet Sër Aleks Fergusoni me 48 trofe, që të gjithë si trajner, nga të cilët 10 me Aberdinin dhe 38 me Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al