Guardiola “heq maskën” në shpërthimin pas humbjes në Liverpul!

Pep Guardiola njihet si një trajner i ekuilibruar, i sjellshëm dhe elegant në çdo situatë. Natyrisht, çdo njeri me mend në kokë nuk mund të besonte se Guardiola kurrë nuk nxehej, nuk fliste keq dhe me nerva, nuk bënte gjeste të pakontrolluara. Kjo mbetej në kuadër të logjikës derisa mediat britanike zbuluan se trajneri i Mançester Sitit e “hoqi maskën” e të ekuilibruarit pas disfatës ndaj Liverpulit. “Deili Meil” shkruan se pati dëshmitarë në korridoret e brendshëm të “Anfildit” që vështruan sesi Guardiola ecte lart e poshtë si në ethe, ndërsa fliste me njeriun e tij të besuar, Çiki Begiristain.

Askush nuk dëgjoi se çfarë tha katalanasi, por hapat e tij të mëdhenj, para e mbrapa, zëri i lartë, sytë e zgurdulluar, gjestet e vrullshme me duar dhe skuqja e fytyrës nuk tregonin asgjë të mirë. Kur Pep shkoi në autobus dhe u bashkua me lojtarët e tij, ai e kishte mbledhur veten, veçse ka edhe një dëshmitar tepër të besueshëm që flet më shumë. Ky është Jaja Ture. “Trajneri ishte shumë i nervozuar në pushim të ndeshjes, – tha ai, – natyrisht nuk ishte aspak i kënaqur që ne po humbisnim dhe që po luanim meq. Ishte shumë i zemëruar për mënyrën sesi pësuam golin, gjithsesi këto janë gjëra që ndodhin”. Ture nuk tregoi se çfarë tha Pep, por gazetarët mund të veçonin lojtarët që zhgënjyen si Kevin De Brujn, David Silva, Kun Aguero apo Fernandinjo.