Gjithçka mbaroi: “Dëshira” më e madhe Kontes mbërrin në Londër!

“Skaj Sporti” konfirmoi se Antonio Rudigeri ka mbërritur në Londër, ku, shumë shpejt, do t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore, mbas të cilëve ai do të nënshkruajë edhe kontratën përkatëse me Celsin. Kështu që, gjatë ditëve të ardhshme, pritet që të bëhet zyrtarizimi i transferimit në fjalë. “Skaj Sporti”, po ashtu, bën të ditur se Celsi do të paguajë për këtë futbollist pjesëtar të përfaqësueses gjermane 39 milionë euro plus bonuse të caktuar.

Kjo është vetëm përmbushja e parë e dëshirës së Antonio Kontes që u revoltua nga pasivitieti i treguar nga klubi londinez në tregun e transferimeve. Veç Rudigerit, Konte ka përcaktuar si prioritete Aleks Sandron, Lukakun dhe Bakajokon, por këta që të tre janë larg nënshkrimit me Celsin. Në fakt, Lukaku, ndërkohë, ka nënshkruar kontratën me Junajtidin, Juvja synon që ta mbajë Sandron me çdo kusht, ndërkohë që në garën për Bakajokon, së fundmi, u përfshi edhe Milani.

Sidoqoftë, Rudigeri është përforcimi i parë, ndërsa janë paralajmëruar edhe përforcime të tjera të rëndësishme te “blutë” e Londrës.

Sfidanti.al